Aksidentohet humoristi popullor / 74- vjeçari Nexhmedin Shabani u përplas nga një makinë, teksa lëvizte me biçikletë
Në një aksident të ndodhur mbrëmjen e të dielës në rrugën “Qemal Draçini” në qytetin e Shkodrës, ka mbetur i dëmtuar Nexhmedin Shabani, humorist popullor i njohur.
Një makinë e drejtuar nga një 74 vjeçar, e ka përplasur teksa Shabani po lëvizte me biçikletë.
Menjëherë në vendngjarje, kanë mbërritur uniformat blu dhe urgjenca e Spitalit Rajonal të Shkodrës që ka bërë transportin e të dëmtuarit për ndihmë mjekësore të specializuar.
Bëhet me dije se Nexhmedin Shabani ka pësuar dëmtime në pjesën e kokës dhe të gjymtyrëve të poshtme.
Ndërkohë, policia e Shkodrës ka njoftuar paraditen e të hënës, se ka arrestuar 74- vjeçarin që ishte në drejtimin mjetit që aksidentoi humoristin popullor, edhe ai në të njëjtën moshë.
Burime nga spitali rajonal i Shkodrës, bëjnë me dije se Nexhmedin Shabani ka kaluar natën e parë nën kujdesin e mjekëve të reanimacionit.
Atij i është identifikuar një dëmtim në kokë, teksa përplasja i ka shkaktuar hemoragji të brendshme.
Gjendja e 74- vjeçarit paraqitet e qëndrueshme dhe është në gjendje të vetëdijshme.
Mjekët tregohen të matur në deklarata pasi në rastet e hemoragjive, duhet të pritet disa ditë.

