Aksidenti hekurudhor me 39 viktima, Osmani: Kosova qëndron në solidaritet me popullin e Spanjës

Vjosa Osmani ka re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar mbi tragjedinë në Spanjë, ku 39 persona humbën jetën si pasojë e një aksidenti hekurudhor. Osmani ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave, ndërsa thekson se Kosova qëndron në solidaritet me popullin e Spanjës në këtë kohë të vështirë.

 “Shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe u dëshirojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Kosova qëndron në solidaritet me popullin e Spanjës në këtë kohë të vështirë”, shkroi ajo në X.

Vagonët e një treni që po udhëtonte drejt Madridit dolën nga shinat dhe kaluan në binarët e kundërt, duke u përplasur me një tren që po vinte përballë në Adamuz, të dielën në mbrëmje.

Sipas rrjeteve hekurudhore, në të dy trenat ndodheshin rreth 400 pasagjerë dhe anëtarë të stafit. Shërbimet e emergjencës trajtuan 122 persona, ndërsa 48 prej tyre, përfshirë pesë fëmijë, ndodhen ende në spital. Nga këta, 11 të rritur dhe një fëmijë janë në gjendje intensive.