Aksident tragjik në Itali, humb jetën 20-vjeçari nga Lezha
Një aksident tragjik rrugor ka ndodhur të enjten në Itali, ku ka humbur jetën një i ri shqiptar nga Lezha. Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:30 në rrugën provinciale 589 (Saluzzo–Barge), në komunën e Revello-s, në kilometrin e 53-të, pranë Abacisë së Stafardës.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti u shkaktua nga një përplasje e fortë ballë për ballë mes një kamioni dhe një automjeti tip “Audi”, i cili drejtohej nga 20-vjeçari Klaudio Gjoka. Përplasja rezultoi fatale për të riun, i cili humbi jetën në vendngjarje.
Pas aksidentit, rruga u bllokua për disa orë, duke shkaktuar trafik dhe vështirësi të shumta në qarkullim, ndërsa autoritetet italiane nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Viktima, Klaudio Gjoka, i lindur në vitin 2005, ishte me origjinë nga Lezha dhe banonte në Saluzzo, Itali. Lajmi i trishtë është konfirmuar edhe nga familjarë dhe të afërm të tij, të cilët kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e parakohshme përmes rrjeteve sociale.
