AKMC: Janë izoluar 8 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot për situatën e zjarreve në vend.
Bazuar në informacionet e dërguara nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në nivel qendror dhe vendor, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, gjatë 24 orëve të fundit është raportuar për 8 vatra zjarri, të cilat janë izoluar të gjitha.
AKMC bëri të ditur se, në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 78 forca operacionale, 11 automjete zjarrfikëse dhe mjete të tjera transporti e gërmuese.
Pas një pune të pandërprerë të forcave në terren u shuan vatrat e zjarrit të raportuara në disa zona në qarqet: Fier, Lezhë, Vlorë, Shkodër, Tiranë e Berat.
Sipas informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencave, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, sot pritet nivel rreziku “I lartë” për zjarret në qarkun Fier, ndërsa pritet nivel rreziku “I moderuar” në qarqet e tjerë.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile përsërisin thirrjen për qytetarët, të bëjnë kujdes në këto ditë me temperatura të larta dhe të njoftojnë në kohë, në çdo rast kur vërejnë një vatër zjarri.