Adriatik Lapaj: Lëvizja “Shqipëria Bëhet” është dëshmi se qytetarët nuk kanë frikë dhe kërkojnë ndryshim
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka zhvilluar protestën e radhës para Kryeministrisë, ku dhjetëra qytetarë iu bashkuan tubimit.
Kryetari i kësaj lëvizjeje, Adriatik Lapaj, gjatë fjalës së tij deklaroi se qeveria aktuale është në përballje të vazhdueshme me qytetarët dhe se vendi po përjeton frikë, varfëri dhe keqqeverisje.
Lapaj kërkoi largimin e gjithë klasës politike, duke theksuar se është e domosdoshme një aleancë e gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare për të sjellë ndryshimin.
“Kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria që mbolli frikë dhe varfëri, ndaj duhet ta presim nga rrënjët. Sot jemi këtu për të dëshmuar se ne nuk kemi frikë,” u shpreh ai.
Ai kujtoi edhe ngjarjet e 4 janarit, kur disa mbështetës të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” u arrestuan.
“Mbrëmjen e 4 janarit, pasi arrestoi djemtë dhe vajzat më të zellshëm të kësaj proteste, synuan të më ndalonin. Më dërguan në spital dhe më pas më çuan njerëz për të më thënë se nuk e vazhdon dot më. Por ne vazhduam dhe do të vazhdojmë. Ne ose do të heqim këtë klasë politike, ose do të largohemi të gjithë. Nuk ka rrugë të mesme,” tha Lapaj.
Gjatë fjalës së tij, ai parashtroi problematika të shumta që prekin qytetarët, duke përmendur mungesën e ilaçeve në spitale dhe përmbytjet në banesa, ndërkohë që sipas tij zyrtarë të lartë shpenzojnë shuma marramendëse.
“Frika është ushqimi i autokratëve. Popujt që kanë frikë bien në autokraci e diktaturë. Ne nuk kemi frikë. Frikë për çfarë, përse? Se ata vjedhin dhe ne përmbytemi në shtëpitë tona, që ne shkojmë në spital dhe gjejmë mungesë ilaçesh, ndërsa këta pijnë verë 33 mijë euro apo blejnë çokollata nga 10 milionë euro. Që fëmijët dhe të afërmit tanë ikin nga ky vend se nuk e përballojnë dot jetën,” u shpreh Lapaj.
/rtsh.al/
