Abbott: Zgjedhjet janë më konkurruese, duhet fushëbetejë e barabartë. Celibashi: Nevojë, reforma e thellë ligjore e institucionale

Ambasadori britanik Nicholas Abbott

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe gjetjet paraprake të OSBE/ODIHR kanë qenë në fokus të tryezës së sotme të diskutimit, mes ekspertëve dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore.

Ambasadori britanik Nicholas Abbott u shpreh se zgjedhjet e 11 majit ishin konkurruese, ndërsa vlerësoi përparimin në administrim dhe transparencë të proceseve elektorale. Por, sipas Ambasadorit, ka ende ndryshime për të bërë.

“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë potencialin e madh që ekziston këtu. Qeveria shqiptare një partner i qëndrueshëm në të cilën kemi besim. Zgjedhjet e 2025-ës përbënin një kryqëzim të zhvillimin demokratik të Shqipërisë.

Zgjedhjet janë bërë më kompetitive, më të konkurrueshme dhe proceset elektorale kanë parë përparim në administrimin e tyre dhe në transparencë.

Ky përparim s’duhet të na çojë në vetëkënaqësi. Ka ende ndryshime për të bërë. Ne kemi parë gjatë zgjedhjeve disa probleme që janë dokumentuar si duhet dhe i është bërë jehonë nga çdo mision monitorimi zgjedhjesh sidomos nga ODIHR, që kanë dhënës një numër të madh vëzhguesish duke treguar se është bërë një zhvillim”, deklaroi ai, ndërsa u ndal më konkretisht te disa prej gjetjeve të misionit ndërkombëtar të OSBE/ODIHR.

Në një kohë kur në shtator shumë prej deputetëve do jetë të rinj, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, ambasadori vuri theksin te nevoja për reforma në garantimin e një fushëbeteje të barabartë mes aktorëvë politikë e rritjes së konsultimeve mes subjekteve politike, shoqërisë civile e medias.

Një tjetër çështje e cila sipas ambasadorit ka nevojë për përmirësim, është transparenca në financimin e fushatave elektorale.

“Jam shumë i kënaqur që kemi mundësi që përmes këtij raporti të shohim disa prej sfidave që ende ekzistojnë. Ka disa çështje që rrezikojnë pjesëmarrjen e të rinjve shqiptar në zgjedhje.

Proceset elektorale janë edhe një kombinim i marrëdhënieve mes popullit dhe aktorëve politik.

Reforma në të ardhmen duhet të fokusohet në garantimin e një fushë beteje të barabartë për të gjithë, të ketë konsultime mes partive politike, shoqërisë civile, medias, etj.

Mendoj se duhet të ketë zhvillim dhe në financimin e fushatës elektorale, e më shumë transparencë, që qytetarët të dinë si financohen partitë politike e nga kush. Nevojiten mekanizma më të mirë për të parandaluar modalizime.

Duhet të ketë akses të barabartë në media, kjo mbetet një problem, është sfidë më e madhe për partitë e vogla. Pronësia e mediave s’duhet të jetë pengesë për ta”, tha Abbott.

Nga ana e tij, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi teksa renditi disa prej gjetjeve të raportit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit, thekson se nevojitet një reformë e thellë ligjore e institucionale me qëllim sigurimin e integritetit të plotë të zgjedhjeve.

“Do duhet të heqim mundësinë e çdo preteksti për të vënë në diskutim në të ardhmen integritetin e zgjedhjeve., Me konstituimin e kuvendit të ri, të nisë puna për të adresuar problematikat që lidhen me procesin zgjedhor në Shqipëri”, tha ai.

Celibashi shtoi se është ende herët për të nxjerrë përfundime të qartë mbi problematikat e procesit zgjedhor,por sipas tij, gjetjet e misionit të OSBE/ODIHR ngrenë një sërë çështjesh për të cilat nevojitet përmirësim.

Sulmet armiqësore e personale mes dy liderëve të partive kryesore politike, përdorimi i burimeve shtetërore për fushatë, mospublikimi i donacioneve apo huave nga kandidatët për deputetë, ndërhyrjet në autonominë editoriale, kanë disa prej pikave në të cilat u ndal Celibashi, si problematika të gjetura e nënvizuara në raportin paraprak të misionit ndërkombëtar.

“Krahas progresit që zgjedhjet patën, kemi ende shumë probleme. Sipas këtyre vlerësimeve, fushata u fokusua në sulme armiqësore e personale, veçanërisht nga liderët e dy partive politike kryesore, kjo thelloi mosbesimin e publikut në politikë, e për këtë arsye, thonë ata, vendi meriton një politikë të ndershme e konstruktive në çdo ditë të vitit.

Fushata u karakterizua nga një ton konfrontues e polarizues në kushtet e përdorimit të një gjuhe përçarëse nga dy partitë kryesore politike e përpjekjeve për të ndikuar padrejtësiht te votuesit.

Vëzhguesit evidentuar përdorimin e burimeve shtetërore, ku përfaqësues të lartë të qeverisë u angazhuar në aktivitete zyrtare që shpesh përkonin me mesazhe fushate e përfshinin prezantimin e programeve duke i dhënë partisë në pushtet një avantazh të padrejtë.

Asnjë prej kandidatëve nuk bëri publike të dhëna për donacione apo huatë e KQZ s’mund të merrte veprim sepse nuk ka një instrument ligjor për të siguruar zbatueshmërinë ligjore përkatëse. Mungesa e raportitmit të ndërmjetëm e ulin transparencën e llogaridhënien në financimin e fushatës.

Klima mediatike tejet e kufizuar. Ndërhyrjet në autonominë editoriale. Mungoi raportimi i pavarur duke cenuar rolin mbikqyrës të medias”, përfundoi Celibashi.