6 mijë vende të lira pune në portalin qeveritar, Çepani: Një mal me mundësi për të rinjtë dhe punëkërkuesit me çdolloj nivel arsimi
Në një kohë kur tregu i punësimit vuan për fuqi punëtore, oferta ka ndryshuar ndjeshëm dhe sot nuk po kërkohen më të mirët, por po kërkohen të plotësohen vendet bosh.
Në varësi të nivelit arsimor, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive ka shpallur mbi 6 mijë vende pune vakante, të lidhura kryesisht me sezonalitetin.
Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, drejtoresha e Shërbimeve të Tregut të Punës, Gertiola Çepani, tha se portali puna.gov.al ofron vende të lira në bazë të profesioneve dhe nivelit arsimor të secilit punëkërkues.
“Për nivelin e lartë arsimor kemi vende si ekonomist, menaxher dhe drejtues në fusha të ndryshme, inxhinier, asistent dhe zhvillues softuerësh, drejtues në sektorin e hoteleri-turizmit. Për ata me arsim të mesëm dhe të ulët, vendet janë për kuzhinier e ndihmëskuzhinier, banakier e ndihmësbanakier, recepsionist, shitës në dyqane, magazinier, saldator, rrobaqepës. Pra, ka nga të gjitha mundësitë për të gjithë ata që janë në kërkim të një pune apo që duan të ndërrojnë punën që kanë.
Të gjithë personat që janë në kërkim të një pune mund të hapin llogarinë e vet në portalin e punësimit, puna.gov.al, dhe të aksesojnë direkt vendin e lirë të punës ku ata dëshirojnë të punësohen. Menjëherë CV-ja e tyre paraqitet te punëdhënësit, të cilët vazhdojnë me pjesën e rekrutimit. Edhe Zyrat e Punës janë një vend i hapur për të gjithë personat që janë në kërkim të një pune, të bëjnë intervistat dhe të këshillohen nga specialistët, si dhe të referohen drejt këtyre vendeve. Një pjesë e madhe e vendeve të lira plotësohen nga ndërmjetësimi dhe mbështetja që bëjnë Zyrat e Punës. Çdo person që ka një skedë të hapur ka të përditësuar arsimin, aftësitë e veta… direkt referohet për vendet e lira që shpallen në bazë të përputhshmërisë që ka. Pra, në mënyrë automatike gjenerohen vende të lira që janë të përshtatshme për çdo person,” tha znj. Çepani.
Portali qeveritar e-Albania po ashtu e ka lehtësuar ndjeshëm aplikimin e punëdhënësve dhe procedurat për të bërë të njohura nevojat e tyre për punë. Shërbimi i dedikuar për punëdhënësit bëhet nga interneti dhe specialistët e Agjencisë Kombëtare të Punësimit i kontaktojnë më pas subjektet për të folur më shumë rreth kritereve të tyre. Disa punëdhënës në portalin paga.gov.al e shpallin pagën me të cilën duan ta paguajnë punëkërkuesin, por kryesisht paga vendoset e negociueshme, sqaroi znj. Çepani.
Ndërkohë, për punëkërkuesit, Agjencia e Punësimit ofron një sërë programesh për t’i plotësuar aftësitë e secilit për t’u integruar më mire në tregun e punës.
“Një nga programet është për të gjithë ata që kanë mbaruar arsimin e lartë apo shkollën e mesme profesionale, të bëjnë një praktikë pune 6-mujore të paguar pranë një biznesi privat ose një institucioni shtetëror.
Portali i punësimit dhe shërbimet online aksesohen më shumë nga personat që kanë më shumë aftësi digjitale. Këta persona kërkojnë vende gjithmonë e më të mira pune. Është një pjesë që nuk i ka këto aftësi dhe mbështeten nga Zyrat e Punës,” tha drejtoresha e Shërbimeve të Tregut të Punës.
Për sa i përket shtetasve të huaj, znj. Çepani tregoi se portali qeveritar u vlen edhe atyre që kanë një leje qëndrimi në Shqipëri dhe duan të ndërrojnë punën aktuale.
“Një shtetas i huaj mund të aplikojë për shërbimin me leje unike. Pra, në qoftë se dikush ka dakordësuar paraprakisht një kontratë pune me një punëdhënës në Shqipëri mund të aplikojë në shërbimin e dedikuar për ta, që është leja unike për të huajt, ku akseson shërbimin dhe mund të punësohet në Shqipëri. Paraprakisht ka disa procese të tjera, jo direkt në portal. Kur ka një leje qëndrimi në Shqipëri dhe ndërron punën, patjetër që mund ta aksesojë portalin,” deklaroi drejtoresha.
Në Zyrat e Punës ka aktualisht rreth 50 mijë punëdhënës të regjistruar, të cilët vazhdojnë të shpallin vendet e lira dhe të përfitojnë nga programet e tjera të Agjencisë së Punësimit.
