43 projekte për Shqipërinë, Italinë dhe Malin e Zi, Interreg IPA dhe BE investojnë 41 milionë euro

43 projekt

Për një Adriatik më të gjelbër, më inovativ dhe më mbështetës, tri shtete – Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi – do të zbatojnë 43 projekte të financuara nga programi Interreg IPA dhe Bashkimi Europian.

Me një investim total prej 41 milionë eurosh, projektet u përzgjodhën nga 198 propozime që përfshinin 220 partnerë.

Përfituesit e përzgjedhur në të tria vendet përfshijnë universitete, qendra kërkimore, institucione trajnimi, dhoma tregtie si dhe institucione lokale dhe qendrore. Drejtuesja e Saspak, Eridana Cano, theksoi në fjalën e saj se këto projekte kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm rajonal në përputhje me standardet e BE-së.

Jemi këtu për të rikonfirmuar një vizion të përbashkët për rajonin e Adriatikut, një hapësirë bashkëpunimi, ku sfidat trajtohen në mënyrë të përbashkët, ku projektet ndërtohen mbi besimin dhe partneritet me një vizion afatgjatë, ku asnjë qytetar nuk mbetet pas,” u shpreh znj. Cano.

Zyrtari i Komisionit Europian, Gilles Kittel, u shpreh se projekte të tilla ndihmojnë në rrugën drejt integrimit.

Këto iniciativa janë instrumente për forcimin e kapaciteteve administrative të Shqipërisë dhe Malit të Zi, si pjesë e procesit të para-aksesionit në Bashkimin Europian, përmes bashkëpunimit konkret me një shtet anëtar. Kjo u mundëson partnerëve të ndërtojnë aftësi të reja menaxheriale. Gjithashtu, përveç ndërtimit të kapaciteteve teknike, projektet ofrojnë një hapësirë praktike për të aplikuar dhe përmirësuar strategjitë e komunikimit, duke sjellë përfitime reale për qytetarët dhe bizneset,” tha z. Kittel.

Fushat strategjike që përfshijnë projektet fituese janë:

  • 10 projekte për konkurrueshmërinë dhe inovacionin;
  • 16 projekte për qëndrueshmërinë mjedisore;
  • 6 projekte për mobilitetin dhe lidhshmërinë;
  • 11 projekte për përfshirjen sociale.