40 dështimet e Kuvendit të Kosovës – Nuk arrihet konstituimi, partitë kërkojnë të respektohet vendimi i Kushtetueses

Kuvendit të Koso

Këtë të martë arriti në 40 numri i seancave të dështuara për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ngërçi vijon edhe gati një javë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili detyron deputetët që brenda 30 ditësh të zgjidhin situatën e krijuar.

Partitë opozitare i kërkuan kryesuesit të seancës Avni Dehari që të respektojë aktgjykimin. Ndërkohë PDK-ja tha se takimi me presidenten Vjosa Osmani do të zhvillohet të mërkurën.

Nesër shkojmë tek presidentja, e vlerësoj pozitivisht në kuptim të angazhimit. Nuk di çka të them për mundësinë e rezultatit sepse në fund të fundit bllokada është prodhim i kryeneçësisë së LVV-së,” tha kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

Zoti Kurti paradite është deputet, pasdite është kryeministër. Marrin vendime që në fakt janë antiligjore. A do të vazhdojmë të procedojmë më tutje në Gjykatën Kushtetuese do të mbetet. Ndoshta duhet të ndërhyjë edhe presidentja. Ndoshta deputetët dhe partitë ish opozitare duhet ta procedojnë më tutje në Gjykatë Kushtetuese,” deklaroi Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Duke fajësuar partitë opozitare për vijimin e ngërçit, e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, përsëriti se janë të gatshëm të marrin pjesë në takimet e presidentes.

Ne nuk themi asnjëherë se duhet të votojnë për, por nuk po votojnë as për, as kundër dhe as nuk po abstenojnë. Prandaj, ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në takimet e radhës të ftuara nga presidentja Osmani. Nuk përjashtojmë asnjëherë që të ketë takime që ftohen edhe nga kryetari Kurti, duke qenë se aktgjykimi i Kushtetueses obligon partinë e parë që të thërras takime me qëllim të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, por është e pakuptimtë që të shkosh në takim dhe të mos bësh asnjë lëvizje,” tha znj. Haxhiu.

Për arritjen e një zgjidhjeje të mundshme, presidentja e Kosovës tha të hënën se në ditët në vijim do të ftojë krerët e partive politike për konsultime, ndërsa u shpreh se po të jetë e nevojshme do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.