3750 hebrenj të strehuar, Sula: Shqipëria vendosi besën mbi frikën gjatë Luftës së Dytë Botërore
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria strehoi rreth 3750 hebrenj, sipas Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Në një aktivitet të zhvilluar për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, drejtoresha e këtij institucioni, Gentiana Sula, tha se shqiptarët vendosën mikpritjen dhe besën përpara frikës.
“E pushtuar, e varfër, e rrezikuar, Shqipëria vendosi njeriun mbi politikën, jetën mbi urdhrin, mikpritjen mbi frikën. Rezultati është fakt historik i pakontestueshëm që Shqipëria është i vetmi vend në Europë që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë hebrenj të shpëtuar sesa kishte para luftës”, tha Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH.
Në takimin e zhvilluar me studentë, mësues të historisë dhe përfaqësues të Autoritetit të Dosjeve, u trajtuan disa elementë, si fjala e dhënë dhe solidariteti njerëzor.
Ndërsa autorja e librit për hebrenjtë në Shqipëri, Monika Stafa, theksoi se bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte e ndërtuar mbi disa vlera të rëndësishme për kombin tonë, si toleranca fetare dhe respekti për mikun.
