27 mijë maturantë testojnë sot njohuritë në provimin e Matematikës, teste të personalizuara për nxënësit me aftësi ndryshe

provimi i dytë i Maturës Shtetërore

Mbi 27 mijë maturantë do të testojnë këtë të martë (17 qershor) njohuritë e marra në Matematikë.

Ky është provimi i tretë i Maturës Shtetërore, pas atij të Gjuhës së Huaj dhe Gjuhës Shqipe. Provimi nis në orën 10:00 për të vijuar për 2 orë e 30 minuta, ndërsa nxënësve do t’u duhet të paraqiten në ambientet e shkollave përkatëse në orën 08:00 me një mjet identifikimi me vete, kartë ID ose pasaportë, ndërsa iu është ndaluar kategorikisht mbajtja e telefonit apo orëve inteligjente.

Pas provimit të Matematikës, maturantët do i nënshtrohen më 24 qershor provimit të fundit, atij me Zgjedhje, i cili ofron një gamë të gjerë lëndësh, duke përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji dhe Ekonomia dhe Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.

Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për provimet e Maturës. Për korrigjimin e testeve janë angazhuar më shumë se 640 mësues.

Procesi i hartimit, administrimit dhe vlerësimit të testeve është realizuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Këtë vit Ministria e Arsimit ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët që janë me aftësi ndryshe.