Lajme

11 maji- Policia e Shtetit: Mbi 5300 efektivë ruajnë objektet zgjedhore. Qytetarët të denoncojnë rastet e cenimit të votës

Në kuadër të garantimit të rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit elektoral, si dhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash. Ky plan është në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për Policinë e Shtetit”, Kodi Zgjedhor dhe udhëzimeve të nxjerra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Plani i masave përfshin disa faza kyçe, si trajnimi i punonjësve të Policisë për detyrat që do të kryejnë gjatë këtij procesi dhe bashkëpunimi me KQZ-në, Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese. Po ashtu, planifikohet mbulimi me shërbime policore i të gjitha aktiviteteve elektorale dhe objekteve zgjedhore.

Për realizimin e këtij plani, Policia e Shtetit ka trajnuar gjithsej 6838 punonjës police me uniformë dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve Zgjedhore, të cilët do të angazhohen në hetimin e çështjeve që mund të lindin gjatë procesit zgjedhor.

Gjatë fushatës elektorale, Policia e Shtetit ka angazhuar maksimalisht 6500 punonjës policie për sigurinë e aktiviteteve elektorale.

Masat

Më 11 maj 2025, Policia e Shtetit ka angazhuar 5316 punonjës dhe automjete për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve zgjedhore.

Objektet zgjedhore, duke përfshirë 93 KZAZ dhe 5225 Qendra Votimi, do të mbulohen me shërbime të dedikuara. Policia ka marrë gjithashtu masa për ruajtjen e këtyre objekteve dhe për të siguruar që procesi i numërimit të votave do të jetë i mbikëqyrur deri në përmbylljen e tij.

Në datën 11 maj, në orën 18:00, Policia do të marrë në ruajtje të gjitha objektet që do të shërbejnë për numërimin e votave, dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundimin e procesit. Po ashtu, janë marrë masa për krijimin e grupeve të gatshme në çdo komisariat dhe drejtori për të vepruar në rast nevoje.

Krimet zgjedhore

Strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, të ngritura për hetimin e krimeve zgjedhore, kanë referuar 37 raste për krime zgjedhore në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në SPAK. Këto raste janë rezultat i analizës dhe vlerësimit të çdo informacioni, indicieje, kallëzimi apo deklarate të bërë nga qytetarët, përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore apo kandidatët.

Thirrja ndaj qytetarëve

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar apo që synon të tjetërsojë votën e tyre, si dhe për të gjitha subjektet politike që të zbatojnë korrektësisht detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit për çdo rast të cenimit të ligjit.

Blerti Delija

Recent Posts

Vijon ngërçi politik në Kosovë, dështon sërish konstituimi i Kuvendit

Deputetët e Kosovës nuk arritën sërish dakordësinë për të konstituuar Kuvendin. Kryesuesi i seancës Avni…

23 minutes ago

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, PS dhe PD mbyllin sot fushatën në Tiranë

Sot, (9 maj) zyrtarisht mbyllet fushata zgjedhore e partive politike, për parlamentaret e 11 majit. …

26 minutes ago

Nis sot gara ndërkombëtare e çiklizmit, Giro d’Italia, rrugët që bllokohen

Starton këtë të premte (9 maj) gara ndërkombëtare e çiklizmit, Giro d’Italia. Çiklizmi i cili…

28 minutes ago

Tym i bardhë mbi Kapelën Sistine – Kardinalët kanë zgjedhur Papën e ri

Tym i bardhë është ngritur nga oxhaku i Kapelës Sistine, duke shënuar se konklava e…

31 minutes ago

Tym i zi nga Kapela Sistine, kardinalët nuk arrijnë të zgjedhin Papën e ri në ditën e parë të konklavës

Tym i zi u ngrit të mërkurën nga oxhaku i Kapelës Sistine në Vatikan, duke…

1 day ago

Ruiz dhe Hakimi shtangin Arsenalin, PSG në finale me Interin

Inter-PSG do të jetë finalja e Champions League 2024/2025. Pas fitores së ngushtë në Londër,…

1 day ago