100 vjetori i Urdhrit të Skënderbeut, Rama i dorëzon dy medaljet e para familjarëve të Artan Lames dhe Filip Rrumbullakut
Në ceremoninë solemne për 100-vjetorin e Urdhrit të Skënderbeut, kryeministri Edi Rama dorëzoi dy medaljet e para për dy familjet e Artan Lames dhe të Filip Rrumbullakut.
Rama tha se kujtimi i pasionit të tyre për simbolet dhe identitetin kombëtar i rikthen ata në qendër të historisë së nderit shtetëror.
“Sot dorëzojmë dy medaljet e para të 100 vjetorit të urdhrit të Skënderbeut të dy familjeve atë të Artan Lames dhe Filip Rrumbullakut, dy burra që nuk janë më por me pasionin e tyre për simbolet kombëtare do kujtohen si mbartësit besnik të një amaneti shtetëror që dukej i varrosur përgjithmonë nën këmbët e injorancës në pushtet”, tha Rama.
Familjarët e të nderuarve shprehën emocionin dhe krenarinë për këtë njohje.
“Ju falenderoj për këtë vlerësim që sot i bëhet bashkëshortit tim, Filip Rrumbullaku, i cili ka pak kohë që nuk është më. Ky është një moment jo vetëm për vlerësimin e punës dhe përkushtimit të tij në studimin dhe shkrimin, por edhe një ngushëllim për familjen tonë. Ne jemi shumë krenarë për të dhe e dimë që ai do të ishte shumë i lumtur sot”, u shpreh bashkëshortja e Filip Rrumbullakut gjatë marrjes së medaljes për 100 vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut.
Ndërsa bija e Artan Lames theksoi rëndësinë e vlerësimit të babait të saj.
“Ky është një vlerësim i madh jo vetëm për babain tim, por edhe për familjen tonë. Pasioni i Artanit për historinë dhe simbolikën e shtetit ishte i lidhur me nderin dhe besimin që ai kishte për Shqipërinë. Ai gjithmonë thoshte se këto ishin elemente që mbajnë gjallë identitetin e një shteti, dhe ky pasion është përcjellë edhe tek unë. Ndihem e privilegjuar që mund ta përfaqësoj dhe të ruaj këtë trashëgimi”, u shpreh e bija e Artan Lames.
Ceremonia e sotme riktheu në vlerësim medaljet e Skënderbeut si simbol i nderit, meritës dhe përkushtimit ndaj atdheut, duke lidhur brezat e sotëm me amanetin historik që këto personalitete lanë pas.
/rtsh.al/
