100 fidanë të rinj në malin e Taraboshit – Aksion i të rinjve vullnetarë  të “Eko Mendje”

fidanet

Kurora e gjelbër e qytetit në malin e Taraboshit është pasuruar këtë të diel me 100 fidane pishe dhe lloje të tjera drurësh, të mbjella nga të rinjtë vullnetarë të grupit mjedisor “Eko Mendja”.

Mbjellja u realizua në zonën e njohur si “Ballkoni i Bunës”.

Në këtë aksion morën pjesë edhe të huaj që ndodhen në Shkodër, duke kontribuar për përmirësimin e mjedisit lokal.

Lukaja, një vullnetare nga Argjentina, shprehet se është e lumtur që është bërë pjesë e kësaj nisme.

“Është diçka që duhet ta bëjmë të gjithë për të kontribuar në mbrojtjen dhe përmirësimin e natyrës. Ndihem mirë që po kontribuoj për Shkodrën”,- tha ajo.

Ky është aksioni i 70-të për pyllëzimin e malit të Taraboshit nga të rinjtë e “Eko Mendjes” gjatë gjashtë viteve të aktivitetit të tyre mjedisor.

Deri më tani, ata kanë mbjellë rreth 14,500 fidanë pishe, duke kontribuar në pasurimin e kurorës së gjelbër të Shkodrës.