1 mijë zjarrfikës dhe avionë për shuarjen e flakëve, 34 vatra zjarri në 24 orë, 17 mbeten aktive

zjarreee

17 vatra zjarri nga 34 gjithsej të shënuara në 24 orët e fundit në territorin e vendit mbeten ende aktive, ndërsa në terren janë të angazhuara 953 forca, 56 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe një avion italian.

Në bashkinë e Delvinës dhe Konispolit, si dhe në disa fshatra të Sarandës ka pasur dëme të konsiderueshme në banesa, në pemë e ullishte, si dhe në kullota.

Në fshatin Kalasë, prioritet ishte evakuimi i banorëve. Këto raste ka vështirësi, sepse njerëzit e kanë shumë të vështirë që t’i lënë banesat dhe pronat e tyre. Megjithatë kemi arritur që të mos kemi dëme në banesa dhe në njerëz,” thotë nënprefekti i Sarandës, Kristo Kiço.

Nga fshati Kalasë, bashkia Delvinë, si rezultat i erës së fortë, zjarri kaloi nga ana e Himarës dhe zbriti drejt një lagjeje të fshatit, ndërsa u bë i evakuimi i banorëve. Gjatë orëve të natës u evakuuan edhe banorët në fshatrat Piqeras dhe Sasaj.

Në zonë operuan helikopterët e Forcave të Armatosura dhe avioni italian Canadair i mundësuar nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile, duke e neutralizuar situatën atje. Edhe në Lukovë po ndërhyhet nga ajri.

Në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, në Gjirokastër, vatra ndodhet në lartësi të madhe dhe e paaksesueshme nga forcat dhe mjetet.

Forcat zjarrfikëse dhe punonjës të shërbimeve komunale kanë shkuar pranë tunelit të Skërficës për të parandaluar një zjarr që vjen nga Delvina mbi fshatin Vergo, i cili rrezikon zonën e mbrojtur të Kardhiqit,” shprehet Ilir Çumaku, përgjegjësi i emergjencave civile të Gjirokastrës.

Sakaq në Parkun Kombëtar të Prespës, vatra e zjarrit është brenda perimetrit, ndërsa vijon puna për shuarjen e tij të plotë.

Vatrat e zjarrit mbeten aktive në Parkun Kombëtar të Lurës, drejt Fushës së Pelave, ku nuk rrezikohen banesa, dhe në kahun lindor të Gurë-Lurës duke iu afruar në distancë të konsiderueshme fshatit Sinë të njësisë administrative Arras.

Në fshatin Dragobi, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve, zjarri ka rënë në një sipërfaqe pyjore. Terreni është shkëmbor dhe me dru halorë, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen nga toka.

Në Qafë Buall, bashkia Bulqizë, vazhdon aktive vija e zjarrit nga Rruga e Arbrit me drejtim nga Maja e Lepurit. Operacioni me ndërhyrje nga ajri ka penguar zhvillimin e vatrës.

Pas më shumë se një jave përpjekjesh intensive, është arritur të shuhet plotësisht zjarri që u përhap nga Shkopeti, duke rrezikuar tre fshatra në territorin e bashkisë Mirditë.

Dëmet janë të mëdha. Janë djegur sipërfaqe të mëdha pyjore të Lurthit, Kumës dhe në Fan,”  tregon kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi.

Në Shëngjergj të Tiranës, zjarri është përhapur në kullota dhe në sipërfaqe pyjore. Situata është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat.